Adjola Lakra, viktimë apo bashkëpunëtore në ekzekutimin e Hekuran Billës?

Kjo vajzë 26-vjeçare do të qëndrojë në qeli, për një afat të pacaktuar. Ajo dyshohet si bashkëpunëtore në ekzekutimin e mbrëmjes së 11 Qershorit në zonën e Komunës së Parisit, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Hekuran Billa.

Më 26 Qershor policia njoftoi arrestimin e saj, pas dyshimeve se ishte personi që kishte nxjerrë në pritë Billën. Por këtë të hënë, teksa doli në gjykatë për të mësuar masën e sigurisë, ajo i ka mohuar akuzat.

Fillimisht u tha se ishte paguar nga Sebastian Mali që t’i jepte informacione mbi Billën, me të cilin kishte një lidhje. Edhe këtë fakt Lakra e ka mohuar.

Hekuran Billa-Adjola Lakra

Por cila është e vërteta?

Sipas dëshmisë së dhënë para hetuesve, Adjola Lakra pretendon se me Sebastian Malin, me të cilin jetonte në të njëjtin pallat, kishte pasur një lidhje rreth dy vite më parë. Pak kohë para se të ndahej, Lakra thotë se Mali i kishte dërguar një ftesë Hekuran Billës nga profili i saj në Instagram.

Prej Nëntorit të vitit që lamë pas ajo kishte nisur një histori dashurie me Hekuran Billën, me të cilin thotë se takohej shpesh në zonën ku u ekzekutua.

Lakra ka pranuar se ishte në dijeni të hasmërisë mes familjes Billa dhe Marku, por mohon të ishte në dijeni të planit për ekzekutimin e 40-vjeçarit e aq më tepër të ketë patur rol në të.

Ajo ka treguar se ditën e ngjarjes ishte telefonuar nga Billa dhe teksa po shkonte ta takonte kishte mësuar se aty kishte ndodhur një vrasje.

Viktor Marku

Policia thotë se Hekuran Billa u vra nga Viktor Marku, ndërsa nipi i tij, Sebastian Mali ishte personi që ruajti lëvizjet e viktimës. Të dy këta persona tashmë ndodhen në qeli. Pas ekzekutimit të Hekuran Billës qëndron hakmarrja.

Në 2006-n, kur Billa ishte 28-vjeç, vrau në Angli vëllain e Viktor Markut, Prel Markun. Pas dënimit me burgim të përjetshëm në shtetin anglez dhe ekstradimit në Shqipëri, ai arriti të dilte nga burgu dhe në vendin tonë fitoi lirinë.

Megjithatë, familja e Prel Markut, vëllai i tij bashkë me nipin, marrjen e gjakut duket se e planifikonin prej kohësh. Kjo bën që edhe roli i Adjola Lakrës në këtë ngjarje të jetë i dyshimtë.

A janë pretendimet e saj të vërteta dhe ajo nuk ishte në dijeni të planit të dyshes, që e përdorën lidhjen e saj në favor të tyre, apo u pagua prej tyre dhe mori pjesë e vetëdijshme në këtë ngjarje? Tani për tani, duket se provat që disponon prokuroria, ishin të mjaftueshme për Gjykatën e Tiranë për ta lënë të renë në burg./sosnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here