Agim Kajmaku lihet i lirë

Dy ditë pas arrestimit në spital, ish-Kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është lënë i lirë nga gjykata. Kajmaku u arrestua pasi u detyrua të shtrohej në spital për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi që ta lehtësojë masën arrest me burg që rëndonte mbi të, duke i catuar detyrim paraqitje. Ky vendim u argumentua me problemet e tij shëndetësore, por edhe për faktin se hetimet janë mbyllur dhe çështja është aktualisht në fazë gjykimi.

Agim Kajmaku, i cili deri më tani po gjykohej në mungesë, akuzohet për shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë së Vorës, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj dhe emërimin e shefit të tij të kabinetit, Gentian Picari, në postin e kryetarit, pasi KQZ i kishte hequr mandatin. Prokuroria thotë se si në shkarkimin e dy nënkryetareve, edhe në emërimin e kryetarit, Kajmaku falsifikoi datën.

KQZ vendosi t’ia hiqte mandatin Kajmakut pasi rezultoi se kishte fshehur një hetim në Greqi, për falsifikim parash. Këtë e denoncoi Partia Demokratike, sipas së cilës Kajmaku e kishte fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit.

Akuzat që rëndojnë mbi Kajmakun janë “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”./sosnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here