Arrestimi i Sadetinit dhe lidhja e vrasjeve të Shkodrës me Tiranën

Sadetin Erkoçeviq nuk është një emër i panjohur për policinë e shtetit. Edhe pse në kërkim ndërkombëtar pasi ishte i dënuar me 20 vite burg për vrasje 28 vjeçari shkodran lëvizte lirshëm në kryeqytetin tonë. Madje i armatosur dhe sipas policisë gati për të kryer një vrasje.

Ai u arrestua nga blutë e tiranës e cila dha dhe detajet e ndalimit të tij të armatosur.

“Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore,  i dënuar për vrasje dyshohejse do të kryente një krim të rëndë në Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë mbajtur nën kontroll personin duke bërë të mundur që me metoda të shpejta proaktive në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Shkodër të identifikonin personin e dyshuar, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe shoqëruar në komisariatin e Policisë Nr. 2, shtetasin Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër. Në momentin e kontrollit i është gjetur në çantën e dorës një armë zjarri pistolete e tipit Bereta, me 14 fishekë dhe një fishek në fole gati për qitje” – deklaroi zëdhënësi i Policisë së shtetit, Gentian Mullai .

Gjatë kohës që mbahej në dhomat e shoqërimit i pyetur nga  oficerët e policisë gjyqësore 28 vjeçari Erkoçeviq nuk ka pranuar të jap asnjë shpjegim lidhur me objektivin e planifikuar për të vrarë.

Policia tha se ishte sinjalizim i qytetarëve ai që bëri të mundur dhe prangosjen, pasi me  qëndrimin e shpeshtë dhe me kapele në rrugën “Bilal Xhaferri” rrugicë përballë shkollës “Petro Nini Luarasi” kishte ngjallur frikë për ta.

Kush banonte  në atë rrugicë, kush ishte objektivi i shënjestruar për  “tu hequr qafe” dhe nga kush ishte paguar Sadedin Erkoçeviq për të kryer vrasjen, janë pyetje që hetimi i thelluar i policisë dhe prokurorisë  ndoshta mund t`iu japë përgjigje në të ardhmen!!

Sadetin Erkoçeviq dhe lidhja me grupe të rrezikshme kriminale !?

Sadetin Erkoçeviq (Lisi) i njohur dhe me pseudonimin Tin Lisi ka lindur më 17 Shtator të vitit 1991 në Shkodër. Me arsim të mesëm dhe pa një profesion dyshohet se prej disa vitesh të jetë rekrutuar nga një prej  katër grupeve kriminale kryesore  të qytetit verior e më konkretisht nga grupi i “Bajrave”. Por sipas burimeve nga uniformat blu nga të dhënat operative është mësuar se Sadetini ka mbajtur lidhje dhe me grupe të Mamurrësit, Laçit apo dhe Tiranës.  28 vjeçari njihet edhe për miqësinë me Ervis Martinajn  dhe Jetmir Llanin (të dy njohje të krijuara nga  shoku i tij Eljo Hato).

Sadedin Erkoçeviq – Gjykata e tiranës, 15 gusht 2019

23 vjeç vrau dy persona në Shkodër në praninë e  shokut të tij Eljo Hatos

Ishte 10 Maj i vitit 2014 kur në fshatin Zuf në një lokal të njohur të zonës “Enigma” për muzikë live dhe balerina, Sadetin Erkoçeviç  dhe Esmeraldo (Elion) Hato personazh i njohur për drejtësinë si dhe Osman Malja ishin të ulur në një lokal sëbashku  në një tjetër tavolinë Indrit Hylli ishte ulur me kushëririn e tij Ervin Hylli, një shokun e tij Fabian Hoxha, si dhe në një tjetër tavolinë Jetmir Beqiri (Mollaj), së bashku me shokun e tij Altin Haxhi.

I ndjeri Indrit është afruar tek tavolina, ku qëndronte Elion (Esmeraldo) Hato së bashku me shokët e tij dhe ka marre nga tavolina e tyre një balerinë për të kërcyer me të.Në këtë moment, mes të ndjerit Indrit Hylli dhe shtetasit Sadetin Erkoçeviq (Lisi), i njohur me emrin “Timi”, ka filluar një debat lidhur me balerinën, debat që ka përfunduar në përdorimin e armëve ku për pasojë u vra Indrit Hylli dhe u plagos Jetmir Molla.

Eljon Hato ka pranuar se ka kryer plagosjen e shokut të viktimës Jetmir Mollaj në tentativë për tu mbrojtur.

“Ai ka deklaruar se tavolina ku kanë qenë të ulur ka qene përballë deres hyrese, por e shmangur pak nga banaku i lokalit. Shtetasi Jetmir Mollaj ka qene ne tavoline me dy djem te tjere te cilet Eljoni nuk i ka njohur. Në lokal ai ka njohur një nga personat që e ka pasur me qera dhe nuk ka njohur personat e tjere. Ai ka sqaruar se në lidhje me ngjarjen pranon faktin se ka qëlluar me armë dhe ka plagosur shtetasin Jetmir Mollaj në këmbë me qëllim për ta zbrapsur por nuk e ka qëlluar ai, nipin e Jetmirit dhe me pas është kthyer pa problem në vend me makinë për të marrë shokët e tij” – vendimi i Gjykatës së Shkodrës.

Eljo Hato gjatë një arrestimi nga policia

Përvec dëshmitarëve në vendngjarje një tjetër provë që kompromenton Sadetinin në vrasjë është dhe përgjimi telefonik mes vëllezërve të Eljon Hatos.Nga transkriptimet e përgjimeve të komunikimeve të kryera lidhur me çështjen në fjalë, ndër të tjera ka rezuluar se: Numri 0674417015, në përdorim të Eridon Hato, vëllait të të pandehurit Eljon Hato, komunikon me numrin 4915218457335, në përdorim të shtetasit Senad Selhani, po ashtu vella i tij.

Më konkretisht:

Eridon Hato, me nr. ….015 i thotë vëllait tjetër: “O a e di kush e ka bo vrasjen. Nuk e ka bo vrasjen Esmeraldo, plagosjen ka bo, po vrasjen e ka bo ai djali i Satkos, si e ka emrin ai.

Senad Selhani, me nr. ….335, i përgjigjet: “Po e di mor burrë se më ka shku mendja mos ki marak.

015:Mirë pra po njaj e ka bo si e ka emrin ai dreqi.

335: Po a ka dalë ai a?

015: Sabedin, a e ka Sabedin apo Tin, A e ka Sabedin?

335: Sadedin e ka.

015: Sadedin, si e ka mbiemrin ?

335: Lisi.

015: Lisi apo Erkoçoviç?

335: Ça di noshta e ka ndrru….

015: Nuk e di o Sonet pash zotin se tamam tamam ato kanë thanë ka kenë Esmeraldo Hato në ket lokal demek, që ka ndodhe ngatërresa, se Timin (duke iu referuar të pandehurit Sadetin Erkoçeviq/Lisi) se ka njoftë kush aty e i ka metë Esmeraldos, se Esmeraldoja ashtë mo që është ma i njoftuni, Timi s’njifet e ka dalë emni i Esmeraldos. A legen ai Miri i Hasës se ai mshefet për skutat.

Shkoder – lokali ku ndodhi vrasja e Indrit Hyllit

335: Pse.

015: Mir Borova mshehet për skutat aty ka kenë në vendngjarje.

335: A.

015: Emo, Ka kenë Sezi e Tit Lumi e kanë kenë të tanë në nji tavolinë. Tanë mshehen nëpër skutat legenat.

Në vendimin e gjykatës së Shkodrës Erkoçeviq është dënuar me 17 vite burg për vrasje dhe 5 vite për armëmbajtje pa leje, dënime këta të konvertuara në 1 të vetëm prej 20 vitesh heqje lirie. Eljon Hato u dënua me  4 vite burgim vetëm për armbajtje pa leje.

Eljo  (Esmeraldo)  Hato – nga plagosja tek porosia e vrasjes për Jetmir Llanin dhe miqësia me Ervis Martinajn.

Me 4 Tetor të vitit 2018 Eljon Hato së bashku me Ervis Martinajn  mbetën të plagosur në sherrin  në zonën e ish bllokut  ku mbeti i vrarë shoku i tyre Fabian Gaxha. Hato dhe  Për atë ngjarje Hato dhe Martinaj u arrestuan në spital. Ndërsa si autor të dyshuar të vrasjes së mikut të tyre policia shpalli në kërkim Meviol Bilon dhe si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e ngjarjes Ervin Matën (të dashurin e Elvana Gjatës) dhe Fabio Allushin.

Por përveç se ishte përfshirë si i dyshuar  në ngjarjen e vitit 2014 ku shoku i tij Sadetin Erkoçeviq vrau Indrit Hyllin, Eljon Hato u akuzua  nga prokuroria dhe për “Vrasje me paramendim për hakmarrje” e mbetur në tentativë të mjekur Agron Terolli. Sipas prokurorisë Hato kishte porositur nga burgu i  Shën Kollit në Lezhë Osman Maljan për të kryer vrasjen e radiologut shkodran kundrejt pagesës.

Në vendimin e gjykatës, prokuroria sqaron versionin e saj se nga të dhënat e mbledhura gjatë hetimit ka rezultuar se djali i doktorit , Rejnold Terolli  ka qenë në burgun e ShënKollit ku vuante dënimin prej 16 vitesh për një plagosje të kryer në vitin 2013. Rreth një javë para tentatisës për ti vrarë babain jashtë burgut, sipas prokurorisë rezulton se Rejnold Terolli është konfliktuar ashpër brenda burgut me të dënuarin tjetër Jetmir LLani ( i dënuar për vrasjen e vëllezërve Shkreta në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së djalit 9 vjeçar nga fisi Shkreta në Mamurras). Në në njëjtën pretencë prokuroia ngre pretendimin se Eljon Hato për hir të miqësisë që kishte me Llanin ka marrë përsipër të rekrutojë shokun e tij Osman MAlja i njohur dhe me pseudonimin Gent Rreke për të vrarë babain e Rejnoldit , mjekun e njohur shkodran Agron Terollin.

Policia ndërhyri arrestoi Osman Maljan gjatë tentatisë për vrasje. Ndërsa Gjykata vendosi të ndryshonte cilësimin e veprës penale ndaj tij dhe ta dënonte për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armbajtje pa lej. Ndërsa për Eljon Haton gjykata rrëzoi akuzën  me argumentimin se provat që kishte sjellë prokuroria dhe policia ishin të pamjaftueshme për të krijuar bindjen tej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Çfarë e lidh 28 vjeçarin  Sadetin Erkoçeviq me  sagën e vrasjeve të Shkodrës të 2018 ?

Që prej vitit 2014 në arrati, pasi ishte i dënuar me vendim gjykate Sadetin Lisi (Erkoçeviq) nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të kryente punë për llogari të grupit kriminal ku dyshohet se bënte pjesë. Në sagën e vrasjeve që tronditën qytetin e Shkodrës gjatë vitit 2018 në përplasjen e dy grupeve “Bajrët” dhe “Lictë”  emri i Sadetin Erkoçeviq  doli nga të dhënat operative të grumbulluara dhe u vendos në listën e të dyshuarve kryesor për vrasjen e Fatbardh Licit.

Përveç  të dhënave operative për përfshirjen e tij dhe disa provave të tërthorta, policia nuk arriti të siguronte asnjë element tjetër që të shërbente si fakt ligjor për të ngritur një akuzë konkrete ndaj Erkoçeviq pasi ky i fundit vijonte të ishte në kërkim policor me kartelë të kuqe dhe një “hije” që nuk arrihej kurrë të kapej, derisa u prangos nga policët e kryeqytetit mbrëmjen e 13 Gushtit 2019.

Redaksia Sonews.al

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here