Arrestohet Henri Çili dhe 40 të tjerë. Akuza: dyshime për korrupsion

Botuesi dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës Henri Çili është arrestuar në orët e para të mëngjesit nga policia, bashkë me 12 persona të tjerë mes tyre biznesmeni Sait Fishta dhe drejtori Juridik i UET Ilir Korbi. Urdhër-arrestet për ndalimin e tyre janë lëshuar nga Prokuroria e Përmetit pas një hetimi disa mujor. Çili është shoqëruar në orën 21:00 të mbrëmjes së djeshme ndërkohë që urdhër arresti i është komumikuar në orë e para të mëngjesit të sotëm.

Të arrestuarit akuzohen për korrupsion pasiv dhe aktiv në fushën e drejtësisë, ndërsa burimet bëjnë me dije se Çili kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar një person nga Lazarati të arrestuar për drogë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.

Gjatë operacionit policia ka arrestuar edhe Amarildo Alikon, i afërm i ish-kryekomunarit të Lazaratit në kohën e PD, Dasho Aliko. në banesën e të cilit u gjetën dhe sekuestruan armë dhe municione. Të arrestuarit janë dërguar tek Policia e Tiranës, ku priten veprime të mëtejshme.

Nga ky operacion i cili është finalizuar në orët e para të mëngjesit mësohet se janë shoqëruar më shumë se 40 persona të tjerë. Kontrolle janë ushtruar në disa banesa në qytetin e Gjirokastrës si dhe në ambientet e UET.

Ndikimi te gjyqtarët për lirimin e të arrestuarve të Lazaratit, bashkë me Çilin pranga edhe drejtorit Juridik të UET

Mes të arrestuarve gjatë operacionit ku është vënë në pranga Henri Çili, është ndaluar edhe avokati Ilir Korbi, drejtori juridik i UET i cili shërben edhe si pedagog pranë këtij universiteti. Bashkë me Korbin janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë të cilët kanë qenë në tavolinë me Korbin.

Tre grupe efektivesh te DVP Gjirokastër kanë zhvilluar kontrolle në banesat e fshatit Lazarat.

Në banesën e Amarildo Alikos , i afërm i ish-kryekomunarit të Lazaratit në kohën e PD, Dasho Alikos ata kanë gjetur tre armë automatike model 56 ( kallash), një granatë, një pushke 20-she e mijëra fishekë deri tani. Ky i fundit është  vënë në prangat e policisë, për t’u shoqëruar më pas në Komisariatin e Gjirokastrës.

Operacioni ka nisur prej orës 5 të mëngjesit dhe po vijon në disa banesa të tjera në zonën e Lazaratit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here