Donika Prela del para KPA, kërkon përjashtimin e dy anëtareve të trupës gjykuese

Ish-drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela e nisi ballafaqimin me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të premten me kërkesën për përjashtimin e dy anëtareve të trupës, Natasha Mulaj dhe Ina Rama, duke pretenduar se ishin në kushtet e konfliktit të interesit.

Gjatë seancës që zgjati rreth gjashtë orë, Prela, e cila punon aktualisht në Prokurorinë e Tiranës kundërshtoi kërkesën për shkarkim të Komisionerit Publik, Florian Ballhysa, ndërsa dorëzoi prova të reja dhe kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor në Kolegj.

Donika Prela u konfirmua unanimisht në detyrë më 5 shkurt të vitit 2019 nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici. Megjithatë, vendimi i KPK-së u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili kritikoi justifikimin që trupa gjyqësore u bëri të ardhurave të pataksuara të bashkëshortit të Prelës.

Prokurorja Donika Prela i mbështeti kërkesat e saj për përjashtimin e Natasha Mulajt dhe Ina Ramës me hetimet e kryera ndaj të afërmve dhe familjarëve të tyre.

Ajo kërkoi fillimisht përjashtimin e anëtares Ina Rama, duke pohuar se kishte pritur që kjo e fundit të reagonte vetë.

“Kam pritur që anëtarja e trupit gjykues, znj.Ina Rama të deklaronte gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit dhe të jepte dorëheqjen, pasi unë në cilësinë e prokurorit kam zhvilluar hetime në ngarkim të kushërirës së parë të znj.Rama, për veprën penale ‘falsifikim të dokumenteve shkollorë’ në vitin 2017,” tha Prela në KPA.

Prela shpjegoi më tej se kushërira e Ramës kishte qenë e punësuar si sekretare në Prokurorinë e Durrësit deri në vitin 2014, ndërsa në vonë në cilësinë e psikologes, duke paraqitur një diplomë të universitetit “Kristal”. Nga hetimet e kryera për rastin pas një kallëzimi penal, Prela tha se është verifikuar se diploma ishte e falsifikuar.

Prokurorja Prela shtoi më pas se ditët e fundit kishte konstatuar se gjendej në konflikt interesi edhe me Natasha Mulajn, kryesuesen e trupit gjykues që po shqyrton ankimin e Komisionerit kundër konfirmimit të saj.

Prela tha se po hetonte prej shkurtit 2020 dy vëllezërit e Mulajt, të cilët akuzohen sipas saj për shkatërrim prone dhe kanosje pas një konflikti pronësie. Ish-drejtuesja e Krimeve të Rënda shpjegoi me detaje konfliktin ku janë përfshirë vëllezërit e Mulajt dhe i kërkoi kësaj të fundit që të jepte dorëheqjen, duke ndjekur të njëjtin precedent si në rastin e Artur Malajt.

Kolegji u tërhoq dhe vendosi që kërkesat e Prelës për përjashtimin e dy anëtareve do të shqyrtohen nga dy trupa të tjera gjykuese të KPA-së. Mulaj tha se shqyrtimi do të vazhdojë, ndërkohë që asaj dhe koleges Ina Rama u pezullohet e drejta për vendimarrje deri në shyqrtimin e kërkesave të përjashtimit.

Parashtrimet e Komisionerit

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa u qëndroi gjatë parashtrimeve në seancë të gjitha shkaqeve të paraqitura në ankimin e tij. Sipas Ballhysës, Prela nuk arrin nivel të besueshëm kryesisht në kriterin e pasurisë, por ai kërkoi që shqyrtimi në KPA të kryhet në të tri kriteret e rivlerësimit.

Ndryshe nga KPK që nuk e penalizoi Prelën për taksat e papaguara për një pjesë të të ardhurave të bashkëshortit në vlerën e 2.5 milionë lekëve, Ballhysa theksoi se neni D i Kushtetutës përcakton se të ardhurat e ligjshme janë ato që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore.

Ballhysa tha se Prela rezulton me mungesë burimesh financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe prej 95.6 metrash katrorë në Tiranë si dhe për kursime në cash, të deklaruara si burim për këtë pasuri.

Gjithashtu, ai shtoi se Prela nuk ka pasur mundësi të shlyejë një hua prej 15 mijë eurosh që bashkëshorti e ka marrë nga djali i xhaxhait të tij –hua e cila sipas tij është e padokumentuar.

Ballhysa ngriti dyshime edhe mbi argumentet e përdorura nga Prela para KPK-së lidhur me padijeninë e të shoqit për taksat e papaguara dhe padinë e bërë ndaj kompanisë “Bruçi” sh.p.k..  Sipas tij, kompania ka paguar gjysmën e pagës me bankë dhe gjysmën me arkë, duke e konsideruar këtë rrethanë të mjaftueshme për të qenë në dijeni. Ballhysa shtoi se ky fakt e kompromenton pozitën e subjektit të rivlerësimit, duke qenë se ajo ka ushtruar detyrën e prokurores së seksionit Task Forcë, ku janë hetuar vepra penale të sferës ekonomike.

Komisioneri Publik përmendi edhe dy raste të transaksioneve të bashkëshortit të Prelës, të cilat janë raportuar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Rasti i parë lidhet me një hua prej 25 mijë eurosh, e cila nuk figuron në deklaratat e pasurisë dhe i dyti me një pagesë prej rreth 1.7 milionë lekësh, që bashkëshorti i subjektit, Vangjel Prela, kishte paguar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës për llogari të kompanisë së ndërtimit ku kishte punuar më parë.

Ballhysa tha se në kohën kur është kryer pagesa, bashkëshorti i Prelës ka qenë i punësuar pranë Bashkisë Tiranë dhe marrëdheniet e punësimit me shoqërinë “Bruçi” ishin ndërprerë.

Në seancë, Komisioneri parashtroi edhe pamundësinë për blerjen e një apartamenti në Durrës në vlerën 1.5 milionë lekë. Ballhysa tha se duke i shtuar kësaj vlere edhe balancat e tjera negative të konstatuara, vlera totale e pamundësisë financiare shkon në shumën 7.6 milionë lekë.

“Subjekti është përpjekur të mos deklarojë saktë pasuritë,” tha Ballhysa në seancë.

Ai ngriti si problem edhe standartet e ndryshme të hetimit të kryer nga Prela për dy çështje që kanë të bëjnë me veprën penale të “drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt”, ku njëri prej të akuzuarve është proceduar në kushtet e arrestit me burg dhe tjetri në gjendje të lirë –duke kërkuar një rivlerësim tërësor të saj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Ndërsa kryesuesja Natasha Mulaj tha se në Kolegj kishte mbërritur edhe një denoncim i ri për Prelën lidhur me një kallëzim të kryer edhe në SPAK, ku pretendohet për zhdukje të akteve të një kallëzimi të kryer nga denoncuesi.

Kundërshtimet e Prelës

Pasi kërkoi administrimin e 375 faqeve me prova të reja që kishte dorëzuar në KPA, Donika Prela i kundërshtoi të gjitha pikat e ankimit të Komisionerit Publik.

Prela tha se nuk mund të penalizohej për taksat e papaguara nga punëdhënësi i bashkëshortit, duke përsëritur argumentin se këto detyrime sipas legjislacionit i takojnë punëdhënësit.

Prela renditi dhjetëra ligje, vendime dhe udhëzime me përcaktimet ligjore për detyrimet tatimore lidhur me punësimin.

“Nga provat që kam siguruar, pas vendimit të Komisionit kam arritur të vërtetoj se për të gjiitha pagat që nuk janë përmbushur detyrimet ligjore, me qëllim rregullimin e ligjshmërisë, punëdhënësi i ka paguar të gjitha detyrimet në vitin 2019. Ndërkohë, bashkëshorti ka kryer padi që të bëhej derdhja e kontributeve,” tha Prela, e cila shtoi se vlera ishte mjaft e vogël krahasuar me atë që pretendohej nga Komisioneri.

Prela këmbënguli se rasti i saj nuk është i ngjashëm me asnjë prej kolegëve të shkarkuar nga KPA, që i ka sjellë në vëmendje Ballhysa në ankimin e tij. Sipas Prelës, në rastin e saj është e provuar edhe marrëdhënia e punës edhe kryerja e pagesave.

“Ne kemi përmbushur standartet ligjore të KPA që në shkallë e parë lidhur me marrëdhënien e punës,” pohoi Prela. “Kemi qenë ne të parët që e kemi konstatuar dhe kemi ngritur padi ndaj subjektit. Po kështu jemi ne të parët që në korrik 2018 kemi vënë në dijeni në Komisionin se kemi ndjekur hapat ligjorë”, vijoi ajo.

Gjithashtu, ajo dorëzoi dokumentacion lidhur me mundësinë e huadhënësit të 15 mijë eurove duke pretenduar se kushëriri i bashkëshortit kishte krijuar nga puna e tij në Greqi prej vitit 1992-2002 vlerën 10 milionë lekë. Sipas Prelës, huadhënësi ka vënë në dispozicion liberezën e kursimeve për depozita që ka pasur që prej vitit 1995 e në vazhdim. Gjithashtu, ajo tha se shteti grek dispononte dokumentacion për punësimet nga viti 2002 e në vazhdim dhe se këtë gjë e vërtetonte me dokumentacion ligjor nga vendi fqinj.

Për mosdeklarimin e një vlere 1 milion lekë, Prela tha se ajo ishte marrë dhe kthyer brenda një jave, si dhe nuk ishte përdorur për asnjë interes privat.  Për qëndrimin e Komisionerit se apartamenti në Durrës në vlerën 10 mijë euro është blerë nën kosto, Prela tha se bashkëshorti e ka vazhduar marrëdhënien me firmën ndërtuese edhe në vitet në vazhdim dhe se ai kishte marrë vetëm djersën e tij.

Ajo solli si provë edhe një kontratë tjetër shitje nga shoqëria për një apartament që e kishte blerë financierja e kompanisë ndërtuese në vlerën 12 mijë euro. Ajo këmbënguli se apartamenti për të cilin ka paguar 10 mijë euro, ka pasur edhe kontributin e vazhdueshëm të bashkëshortit dhe se nuk ka pasur ndonjë përfitim nga vlera 4 milionë lekë e përfituar prej shitjes.

Për mosdeklarimin e huasë 25 mijë euro që i është dhënë R.N., Prela shpjegoi se bashkëshorti nuk ka qenë huadhënësi, por ka pasur prokurorë të posaçme për të përfaqësuar një shtetas tjetër, A.P., i cili jetonte në Itali dhe nuk kishte mundësi të vinte dhe të kthehej nga Italia në Shqipëri e anasjelltas. Ajo depozitoi dokumentacion sipas të cilit, huadhënësi A.P., së bashku me bashkëshorten kishin patur të ardhura në vlerën 220 mijë euro nga viti 200 deri në 2010-ën duke mbuluar shumën 25 mijë euro që i kanë dhënë shtetasit R.N. .

Sipas Prelës, ky transaksion nuk ishte deklaruar pasi nuk kishin pasur asnjë lloj përfitimi apo interesi privat. Të njëjtën gjë ajo pretendoi edhe lidhur me vlerën 1.7 milionë lekë që bashkëshorti ka paguar pranë zyrës së Hipotekës së Durrësit për llogari të firmës.

Lidhur me denoncimin e kryer në KPA dhe kallëzimin ndaj saj në SPAKpër zhdukje të akteve të një kallëzimi, Prela dha se ishte njoftuar nga denoncuesi. Ajo shpjegoi se ishte interesuar pranë SPAK prej nga kishte mësuar se kallëzimet e kryera nga denoncuesi ishin transferuar për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës.

“Kjo vërteton se nuk qëndron denoncimi,” shtoi ajo.

Ajo e quajti të padrejtë vlerësimin në tërësi edhe për kriterin e pastërtisë së figures, duke argumentuar se nuk ishin ngritur pretendime nga Komisioneri.

Në përfundim të parashtraimeve të saj, prokurorja Donika Prela kërkoi administrimin e provave të reja dhe riçeljen e hetimit gjyqësor. “Të mos merren parasysh shkaqet e ankimit të Komisionerit dhe Kolegji të vendosë lënien në fuqi të vendimit të Komisionit,” përfundoi Prela.

Kolegji vendosi të shtyjë seancën për dëgjimin e konkluzioneve të Komisionerit lidhur me provat e reja në datën 27 korrik, ora 09:00.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here