Fati i ish-Kryeprokurorit Llalla vendoset në Nëntor

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të enjten të rikthejnë për kryerje hetimesh të reja hetimore dosjen penale në ngarkim të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ka qenë përfaqësuesi ligjor i Llallës, avokati Sokol Hazizaj ai i cili i kërkoi gjyqtares së seancës paraprake Irena Gjoka, që të rikthejë dosjen për rihetim. “Avokati kërkoi kryerjen e disa hetimeve të tjera dhe gjykata vendosi plotësimin e hetimeve”, njoftoi koodrinatorja për të drejtën e informimit pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Dinora Aleksi, e cila shtoi se seanca e radhës do të zhvillohet në nëntor.

Avokati Hazizaj mësohet se ka kërkuar që të kryhet verifikimi i të gjitha transaksioneve të pronave të Llalës që janë hetuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, për të konkluduar nëse ka fshehje ose fiktivitet. Gjithashtu, është kërkuar edhe thirrja e një dëshmitari që ka kryer një dhurim parash cash me rastin e lindjes së fëmijës së Llallës.

Dy seancat e mëparshme kur pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK për gjykimin e Llallës u shtynë. E para për shkak të kërkesës së avokatit për t’u njohur me dosjen dhe seanca e dytë u shty për shkak të mungesës së gjyqtares Irena Gjoka për arsye shëndetësore.

Sipas SPAK-ut, ish-kryeprokurori Llalla ka kryer tre herë veprën penale të mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë. Akuza e ngritur sipas nenit 257/a, parashikon dënime nga gjobë deri në 3 vjet burg.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.

Megjithatë, SPAK njoftoi të më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë./sosnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here