Fundi i arratisë së Agim Kajmakut

Agim Kajmaku ishte shpallur në kërkim që prej Nëntorit të 2019-s dhe “fati” deshi që ish-Kryebashkiaku i Vorës të prangosej në spital, aty ku u shtrua mbrëmjen e së hënës. Duket se gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar në atë masë sa ishte i nevojshëm shtrimi. Në këto kushte, avokati i tij njoftoi policinë. Kështu arratia e ish-kryetarit të Bashkisë Vorë mori fund. Policia e Tiranës njoftoi këtë të martë arrestimin e Kajmakut në spital.

“Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tirane u krye ekzekutimi i urdhrit të prokurorit, për ndalimin e shtetasit në kërkim A. K., 49 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të datës 09.11.2019, bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”. Ekzekutimi i vendimit penal është bërë në ambientet e një spitali privat në Tiranë, ku aktualisht ky shtetas po trajtohet me ndihmë të specializuar mjekësore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Agim Kajmaku, i cili deri më tani po gjykohej në mungesë, akuzohet për shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë së Vorës, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj dhe emërimin e shefit të tij të kabinetit, Gentian Picari, në postin e kryetarit, pasi KQZ i kishte hequr mandatin. Prokuroria thotë se si në shkarkimin e dy nënkryetareve, edhe në emërimin e kryetarit, Kajmaku falsifikoi datën.

KQZ vendosi t’ia hiqte mandatin Kajmakut pasi rezultoi se kishte fshehur një hetim në Greqi, për falsifikim parash. Këtë e denoncoi Partia Demokratike, sipas së cilës Kajmaku e kishte fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit./sosnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here