Gjin Gjoni ikën vetë!

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Gjin Gjoni i ka paraqitur të hënën dorëheqjen e parevokueshme Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke shmangur përballjen me procesin e vetingut. Gjoni pretendon se ishte sulmuar politikisht dhe lë të kuptohej se edhe në veting do i nënshtrohej një procesi politik. Kërkesa e Gjonit për dorëheqje u konfirmua nga anëtari i Këshillit, Erjon Muharremaj.

Gjyqtari Gjoni është një figurë kontraverse e sistemit të drejtësisë. Në vitin 2014, ai u akuzua nga kryeministri Edi Rama si “fenomenal”, duke iu referuar problemeve të sistemit të drejtësisë. “Po e them copë, sepse jam ndier i tmerruar kur kam përballë zyrtarët më të lartë të vendeve të tjera që e përmendin si emër?”, tha Rama duke pretenduar se Gjoni i ishte përmendur në tavolinë nga disa kancelari të huaja.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha e ka mbrojtur haptazi Gjonin. Gjatë një seance parlamentare në replikë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, Berisha tha se ata që akuzonin Gjonin duhej të “lajnë gojën” përpara se të flasin, sepse ai ka pasur kurajën të përballet me drejtësinë.

Gjoni është një nga gjyqtarët më të pasur në vend sipas vetëdeklarimeve të dorëzuara në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave. Ai dhe bashkëshortja Elona Çaushi u kallëzuan nga ILDKPKI në vitin 2014 për mosdeklarim pasurie dhe konflikt interesi, por hetimet e prokurorisë së Elbasanit u pushuan pas një sërë vendimesh të gjykatave në të tre shkallët që fillimisht ndaluan zgjatjen e afateve dhe më pas vendosën se “fakti nuk ekzistonte” dhe se Gjoni e bashkëshortja nuk kishin “pasuri të padeklaruara dhe të pajustifikuara, apo burim të paligjshëm të financimit të tyre.”

Gjyqtari Gjoni u shortua për t’iu nënshtruar procesit të vetingut në vitin 2018, ndërkohë që në tetor të të njëjtit vit ai mori leje prindërore 2-vjeçare nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në letrën e tij të dorëheqjes, Gjoni pretendon se vetingun po e kalojnë vetëm “shërbëtorët e politikës” dhe ata që “firmosin dhe vulosin pa menduar”./sosnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here