Hetimet për vrasjen e Emiljano Ramazanit

Emiljano Ramazani

Të paktën dy herë u kap me droga të forta, të dyja herët u la i lirë për mungesë provash… Emiljano Ramazani ishte një emër i njohur për drejtësinë. Pikërisht e shkuara kriminale është edhe në fokus të hetimeve për ekzekutimin e tij, pasditen e së hënës në Elbasan.

39-vjeçari po parkonte makinën në lagjen 28 Nëntori, aty ku kishte dhe shtëpinë, kur iu afrua një makinë Volkswagen me targa të vjedhura rreth 2 javë më parë në kryeqytet.

Autorët, të cilët dyshohet të ishin 3, hapën zjarr në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend. Pas ekzekutimit, ata u larguan me shpejtësi dhe i vunë flakën makinës në një ullishte në fshatin Vidhas. Brenda makinës grupi hetimor gjeti dy kallashnikovë.

Makina e autorëve të vrasjes së Emiljano Ramazanit. Brenda saj u gjetën dhe dy armët me të cilat u krye vrasja.

Emiljano Ramazani, i njohur edhe me nofkën Rrahmani, mund të jetë ekzekutuar për shkak të prishjes së pazareve të paligjshme, apo nga përplasja mes grupeve kriminale në Elbasan.

Në Elbasan 39-vjeçari njihej edhe si miku i Talo Çelës, aktualisht i shpallur në kërkim për grabitjen e parave në Rinas dhe ekzekutimin e dy vëllezërve Haxhia në Durrës.

Ramazani u arrestua fillimisht në vitin 2012 e më pas në 2017-n. Në të dyja rastet ai u kap me kokainë dhe u akuzua për shpërndarjen e drogave të forta.

Vrasja e tij mësohet se është filmuar nga kamerat e sigurisë në zonë. Pikërisht këto pamje dhe provat e tjera në vendngjarje pritet t’i vijnë në ndihmë grupit hetimor për zbardhjen e vrasjes së 39-vjeçarit./sosnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here