KPA largon përfundimisht nga sistemi i drejtësisë gjyqtaren Valbona Seknaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi në mënyrë unanime të lërë në fuqi vendimin e Komisionit për shkarkimin nga detyra të ish-kryetares së Gjykatës Administrative Shkodër, Valbona Seknaj(Durraj).

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të mërkurën më 14 korrik, vendimin për rrëzimin e ankimit të ish-kryetares së Gjykatës Administrative Shkodër, Valbona Seknaj(Durraj), ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e saj nga detyra.

Seknaj (Durraj) u shkarkua nga detyra më 4 korrik 2019, pasi u konstatuan një sërë problemesh në kriterin e pasurisë. Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se Seknaj ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm e të rremë të pasurive, ka mungesë të burimeve të ligjshme për pasuritë dhe shpenzimet; ka kryer fiktivitet në lidhje me dy kontrata noteriale për shitjen e një apartamenti me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore; si edhe ka kryer ndërtim të paligjshëm në një truall në Velipojë.

Trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Ardian Hajdarin, Ina Ramën dhe Natasha Mulajn, pasi shqyrtoi në dhomë këshillimi pretendimet e Seknajt, vendosi në mënyrë unanime lënien në fuqi vendimin e Komisionit duke e larguar përfundimisht këtë subjekt rivlerësimi nga sistemi i drejtësisë.

Valbona Seknaj(Durraj) e nisi karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998. Për më shumë se një dekadë, ajo punoi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës, ndërkohë që në vitin 2013 u dekretua gjyqtare në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, ku mbajti edhe pozicionin e kryetares.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here