KPA vendos të njohë Komisionerin me dokumentet sekrete për prokurorin Petrit Çano

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi t’i japë mundësinë Komisionerit Publik, Florian Ballhysa të njihet me aktet e konsideruara sekret shtetëror, të administruara në funksion të një raporti negativ të DSIK-së për drejtuesin e Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano dhe shtyu seancën.

Në seancën publike të radhës të zhvilluar në KPA lidhur me procesin ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano nuk u evidentua ndonjë konstatim apo konkluzion i ri lidhur me informacionet shtesë të mbëritura në funksion të një raporti negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK të depozituar së fundmi dhe të bërë publik në seancën e 9 korrikut.

Kolegji vërejti se kishte njoftuar palët për aktet e mbërritura të konsideruara si sekret shtetëror dhe vendosi në dispozicion të tyre një proces-verbal të mbajtur në lidhje me ndryshimin e qëndrimit të DSIK.

Komisioneri dhe përfaqësuesi ligjor i Çanos,avokati Julian Mërtiri konstatuan se procesverbali kishte të bënte me raportin e DSIK-së për figurën të bazuar në një document të këqyrur nga trupi gjykues, si dhe nga një akt që përban informacione nga një institucion tjetër.

Nisur nga fakti se palët nuk janë njohur me të dhënat e konsideruara si secret shtetëror, Komisioneri publik u shpreh se e kishte të pamundur që në aspektin procedural të shprehej për kërkime të mëtejshme. Ballhysa dhe avokati Mërtiri u shprehën se e linin në çmimin e trupit gjykues të vlerësonte nëse provat e administruara lidhur me kriterin e figurës kërkojnë ose jo një hetim të mëtejshëm. “Nuk identifikojmë asnjë të dhënë për rivlerësimin e figurës”, tha avokati Mërtiri.

Pasi u tërhoq, Kolegji vendosi të kryejë procedurën për mundësimin e njohjes së Komisionerit Publik me aktet e konsideruara secret shtetëror, të mbërritura në funksion të raportit të DSIK-së për figurën.

Në seancë u evidentua edhe një denoncim i ri i kryer nga shtetasi N.L.. Komisioneri Florian Balhysa tha në seancë se denoncimi ka të bëjë me një procedim penal të vitit 2017 ndaj dy shtetasve, çështje e cila është dërguar për gjykim. Ballhysa shtoi se nga verifikimet e kryera rezultonte se subjekti nuk ka pasur lidhje, por kanë qenë dy prokurorë të tjerë që e kanë hetuar këtë cështje.

Prokurori Petrit Çano deklaroi se bëhej fjalë për të njëjtin person që e kishte denponcuar edhe më parë dhe se portalet që kishin shkruar ishin të financuar pej tij. “Ashtu si tha edhe i nderuari Komisioneri Publik, nuk kam lidhje me këtë çështje pasi kanë qenë dy prokurorë të tjerë”, theksoi. Çano.

Pasi KPA vlerësoi t’i japë Komisionerit mundësinë për t’u njohur me aktet shtetsë të mbërritura, shtyu seancën për më datë 30 korrik, ora 10:00.

Burimi: reporter.al

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here