Misteret e ngjarjes së Kombinatit

Ishin Dëshmitare të Jehovait, pjesë e Kishës Ungjillore, apo pjesë e ndonjë sekti tjetër të panjohur? Deri më tani nuk dihet ende. Gratë Josifi besonin se do të ringjalleshin dhe për këtë kishin ndër të tjera edhe shënime, të gjetura në një ditar në shtëpi.

“Dhe në qoftë se fryma e atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me atë të frymës së tij që banon në ju”. “Jini pra të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat. Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju zbarisin përpara sinedrave të tyre dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre”.

Këto janë vetëm disa prej shënimeve të gjetura në atë që gjerësisht po cilësohet si “shtëpia e horrorit” në Kombinat. Ndoshta fjala “horror” nuk është ekzagjerim.

Për rreth 15 muaj, nënë e bijë mbajtën trupin e pajetë të Anisa Josifit në shtrat. Një dhomë e pastër, gjithçka e rregullt dhe në shtrat trupi i një vajze e cila vdiq sepse për dy muaj nuk konsumoi asgjë për të ngrënë. Anisa ishte e para që mori hapin drastik për t’i dhënë fund jetës. Nëna e saj Zhaneta dhe motra Blerta, që nga ai moment e mbajtën atë në shtrat, duke e lyer trupin me vaj e uthull, por edhe solucione të tjera, lloji i të cilave nuk dihet ende. Gjithçka në këtë dhomë ishte siç Anisa e kishte lënë. Pranë shtratit qëndronte një karrige, aty kur Zhaneta e Blerta uleshin dhe luteshin që ajo të rikthehej në jetë.

Me gjasë, nënë e bijë, pasi u lutën për më shumë se 1 vit që Anisa të ringjallej, vendosën të bënin sakrificën e fundit. Nisën të mos ushqeheshin, ndoshta duke besuar se në këtë mënyrë 30-vjeçarja do të ringjallej.

Sigurisht kjo nuk ndodhi dhe pak ditë para se e gjitha kjo ngjarje të zbulohej 56-vjeçarja Zhaneta Josifi ndërroi jetë. E gjunjëzuar mbi divan, ndoshta duke u lutur deri në frymën e fundit, në këtë mënyrë dha shpirt. Në këtë pozicion u gjet nga zjarrfikësit mbrëmjen e 2 Korrikut. Ndërsa 34-vjeçarja Blerta Josifi qëndronte në divanin tjetër, me duart në fytyrë. Shanset janë që nëse nuk do të ishte gjetur nga autoritetet, edhe ajo do të kishte ndërruar jetë.

Këto gra kishin kohë që ishin shkëputur nga bota e jashtme dhe kishin kohë që edhe familjarët nuk dinin se çfarë ndodhte me to.

Blerta arriti të mbijetonte e madje të jepte edhe një dëshmi. Por fjalët e saj nuk mund të besohen plotësisht, qoftë për shokun që ka kaluar, qoftë për dëmtimet që mund të ketë pësuar për shkak të mosngrënies apo traumës që ka pësuar gjatë kohës që bashkëjetoi me kufomën e motrës, e më pas nënës së saj. Dëshmia e saj konsiderohej kyçe, por ndonëse ajo foli, sërish e gjithë kjo ngjarje është e mbushur me mister.

Dëshmitarë thonë se përgjatë vitit që lamë pas, në një kohë kur Anisa kishte vdekur, në shtëpinë e tyre ishin parë njerëz, jo familjarë, që i kishin vizituar. Kush janë ata nuk dihet. Dyshohet se janë pjesë e sektit që bënin pjesë, por këto mbeten ende dyshime. Trupi i Anisa Josifit nuk ishte i dekompozuar, por i tharë. Gratë duket se kishin arritur të gjenin solucionet e duhura, për ta ruajtur sa më shumë trupin e saj. Ku i morën ato këto dije dhe ku i blenë solucionet, edhe kjo mbetet mister.

Në fund, një tjetër pikëpytje e madhe ngrihet kur mësohet se këto vajza, ishin të mirëarsimuara e madje kishin pasur edhe punë të mira. Blerta kishte punuar si inxheniere, ndërsa Anisa financiere. Çfarë i bëri këto vajza të hiqnin dorë nga karriera dhe një jetë e gjatë përpara, që të izoloheshin në shtëpi për të provuar të pamundurën?

As njerëzit e tyre më të afërt, duket se nuk arrijnë t’i japin dot përgjigje.

Ajo që dihet është se vite më parë, babai i vajzave dhe bashkëshorti i Zhanetës, Llukë Josifi, pësoi paralizë të pjeshme, kaloi në depresion e në fund i dha fund jetës.

Ai u vetëvra duke u hedhur nga pallati përballë dhe Blerta dëshmoi të gjithë skenën. Ata që i kanë njohur thonë se ishin vajza të mira dhe dukeshin normale. Megjithatë ato kaluan trauma të mëdha, që duket se i fshihnin brenda 4 mureve.

Në kohën që jetonin në Përmet dhe vajzat ishin ende adoleshente kishin qenë pjesë e Dëshmitarëve të Jehovait, e më pas u bënë pjesë e Kishës Ungjillore. Se çfarë ndodhi kur erdhën në Tiranë, kjo mbetet gjithashtu mister.

Zyrtarisht në vendin tonë numërohen 611 kulte dhe sekte fetare Me përjashtim të 5 komuniteteve fetare që janë të regjistruara, 606 organizata nuk dihet si veprojnë dhe çfarë besimi ndjekin. Autoritetet duhet të zbulojnë se cilit prej tyre iu ishin bashkuar gratë Josifi, me shpresën se në këtë mënyrë do të mund të hedhin dritë mbi vdekjen e tyre./sosnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here