Ndërhyrjet në struktura i kthyen pallatet në kurthe vdekjeje gjatë tërmetit

Ndërhyrjet e paligjshme në katet e para të pallateve të periudhës së regjimit komunist për t’i kthyer në ambiente komerciale – shpesh të realizuara nën hundën ose me bashkëpunimin e zyrtarëve vendorë, i kthyen disa prej këtyre ndërtesave në kurthe vdekje gjatë tërmetit.

Autor: Geri Emiri

Marjana Rexhepi nuk ka për ta harruar kurrë 26 nëntorin e vitit 2019, ditën kur tërmeti vdekjeprurës goditi qytetin e Durrësit, duke shkaktuar 51 vdekur dhe qindra të plagosur. Pa përpjekjet heroike të grupeve të shpëtimit, ajo mund të ishte sot mes viktimave që humbën jetën nën rrënojat e shkaktuara prej lëkundjes sizmike me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter.

Pallati 6-katësh i Marjanës, i ndërtuar në vitin 1989 në rrugën ‘Shoqëria Bashkimi’ u shemb, duke zënë nën rrënoja 4 banorë. Marjana ishte njëra prej tyre dhe qëndroi 13 orë nën rrënoja, përpara se grupet e shpëtimit arritën ta nxirrnin të gjallë jashtë pallatit.

“Gërmonin ata dhe më pyesnin si e ke emrin – ai burri nga Vlora, dhe unë i tregova emrin,” kujton Marjana, ndërsa i referohet origjinës së njërit prej anëtarëve të grupit të shpëtimit. “Më pas u tha njerëzve përjashta, ejani se ka një person gjallë,” shtoi ajo, ndërsa theksoi se u nxorr nga rrënojat në orën 1 të mëngjesit të 27 nëntorit.

Ende e traumatizuar, Marjana Rexhepi e konsideron veten me fat, pasi nëna e saj, Nafije Rexhepi dhe fqinja e katit të dytë, Xhulieta Gjana humbën jetën pas shembjes së 2 kateve të para të ndërtesës.

Një hetim i Prokurorisë së Durrësit fajësoi punimet pa leje për ndërtimin e një Bar Kafeje të quajtur ‘Baron’s, si dhe shpërdorimin e detyrës nga zyrtarët të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës dhe ALUIZNI-t.

Marjana kujton se për shkak të ndërhyrjes strukturore të paligjshme, pallati ishte krisur që nga tërmeti i shtatorit 2019 dhe ajo kishte bashkuar krevatin e saj me të nënës, për t’u ndjerë ‘më të sigurta’ në apartamentin ku jetonin me qira.

“Kishim me qira një vit aty, po na mori në qafë ai [Bar] “Baron’s”-i dhe ra direkt pallati,” kujtoi ajo. “Ai lokali pra e ka gjithë fajin, se ka gërryer dhe ra direkt pallati,” shtoi ajo.

Pas viteve ’90, katet e para të shumë pallateve të ndërtuara gjatë periudhës së regjimit komunist ndryshuan destinacion, pasi ndërhyrjet në strukturën e godinave i kthyen ato në ambiente komerciale.

Sipas ekspertëve, këto ndërhyrje ndikojnë negativisht në qëndrueshmërinë e ndërtesave, duke i bërë ato më pak të qëndrueshme në rast lëkundjesh sizmike.

“Ndërhyrjet në katet e para tek godinat e ndërtuar përpara viteve’ 90 ndikojnë në strukturë,” shpjegon Alier Cara, inxhinier konstruktor.

“Por kjo duhet parë rast pas rasti dhe si rrjedhojë, nevojitet të kalohet në sitë çdo objekt me karakteristika të tilla,” shtoi ai, ndërsa theksoi se këto raste gjenden në të gjithë Shqipërinë.

Beteja e Bashkim Koplikut

I ndjeri Bashkim Kopliku, teksa shpjegonte për BIRN rastin e pallatit të tij. Foto Geri Emiri

Bashkim Kopliku, ish-zv. kryeministri i vendit në vitet 1992-1995 dhe gjithashtu ministër i Rendit në vitet 1992-1993 humbi jetën më 21 nëntor nga COVID-19.

Por përpara se të ndërronte jetë nga koronavirusi në moshën 77-vjeçare, politikani në pension udhëhoqi një betejë disa vjeçare kundër ndërhyrjes në strukturën e pallatit ku banonte në Durrës në “Rrugën e Mozaikëve.”

Në Shqipëri, bazuar në sistemin konstruktiv, ka 3 tipologji pallatesh të ndërtuara përpara viteve ’90. Të parat janë ato që nuk kanë fare kolona, por vetëm mure mbajtëse, të dytët kanë mure mbajtëse dhe kolona, ndërsa të tretët kanë vetëm kolona dhe nuk kanë mure mbajtëse, por vetëm mure ndarës.

Pallati i ndërtuar me punë vullnetare nga punonjësit ish-Uzinës së Radios dhe Televizorëve (URT) – ku Kopliku ka punuar si inxhinier,  ka të njëjtën strukturë me 6-katëshin që u shemb tek lagja numër 6, i njohur si pallat tip “82/2”. Ai ishte ndërtuar mbi një vendstrehim kundërajror të Luftës së Ftohtë në vitin 1985.

BIRN e intervistoi Koplikun në dhjetor 2019 dhe mësoi se politikani në pension ndodhej prej dy vitesh në një betejë ligjore kundër ndërhyrjes në katin e parë të pallatit ku banonte.

Më 10 shtator 2017, Kopliku u alarmua nga punimet e fqinjit në katin e parë, i cili prej 10 vitesh e kishte kthyer apartamentin e tij në dyqan fruta -perimesh dhe së fundmi synonte ta kthente në një lokal. Sipas Koplikut, fqinji kishte vendosur që dyshemenë dhe shkallët e apartamentit t’i ulte në nivelin e trotuarit, duke dëmtuar elementët mbajtës të godinës.

“Shko merr një inxhinier konstruktor i thashë që të shpjegoj së çfarë mund të bësh sipas rregullit,” kujtoi Kopliku në një intervistë në dhjetor 2019. “Mora vesh që asnjë nga inxhinierët konstruktorë nuk kishte guxuar të pranonte ta aprovonte një ndërhyrje të tillë,” shtoi ai.

Kërkesa e politikanit në pension ndaj fqinjit, që ta realizonte ndërhyrjen me një projekt konstruktiv ra në vesh të shurdhër. Sipas Koplikut, heqja e të ashtuquajturve “trarë themeli” rrezikonte ndjeshëm sigurinë e godinës së projektuar për përballimin e lëkundjeve sizmike deri në 9 ballë.

“Për të rritur sigurinë sizmike, fundet e kolonave apo kokat ku dalin plintat lidhen me një tra, që e quajnë tra themeli,” shpjegoi asokohe Kopliku.

“Pikërisht ky i jep godinës mundësinë që t’i rezistojë një tërmeti deri në 9 ballë,” shtoi ai.

Kopliku e denoncoi pronarin e dyqanit në polici dhe prokurori, por fqinji i tij nuk i ndaloi punimet dhe filloi të punonte natën.

“ Vinin oficerët e policisë dhe thonin nuk shohim gjë,” kujtoi ish-ministri i Brendshëm.

Pas dy vite ankesash dhe denoncimesh të përsëritura për ndalimin e veprimeve që rrezikonin shembjen e pallatit, me 11 shkurt 2019 inspektorët e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT, nxorën një akt-konstatimi, sipas të cilit punimet pa leje sollën dëmtime strukturore të ndërtesës.

Sipas IKMT-së, duke ulur dyshemenë e dyqanit në 60 centimetra ishin prerë 4 trarë dhe ishin  shembur dy të tjerë, duke lënë vetëm 2 trarë deri në momentin e konstatimit nga inspektorët.

“Ka gërmuar, hequr trarë, si dhe prerë në drejtimin aksial trarë lidhës të kolonave, si dhe ndërhyrje në vendstrehim, duke hequr tavanin e tij,” shkruhet në procesverbalin e IKMT-së.

IKMT iu drejtua tre herë Bashkisë Durrës, institucioneve në varësi të saj dhe prokurorisë, në muajt janar, shkurt dhe korrik 2019, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente për hartimin e një projekti dhe riparimin e strukturave të hequra që rrezikonin shembjen e godinës, por autoritetet vendore nuk ndërmorën veprime konkrete në terren.

Sipas inxhinierit Alier Cara, kur ndërhyrjet ndodhin në elementët strukturorë dhe jo në ato sekondarë të një ndërtese, ato vënë në rrezik qëndrueshmërinë e godinës.

“Nëse ato kanë qenë godina ku aty ku është gërmuar, është shembur, hequr, zëvendësuar elementë strukturorë, sigurisht që ia ke prekur pjesën më të rëndësishme,” shpjegoi ai.

Zyrtarët vendorë ‘favorizuan’ shkelësit

Dyqani në katin e parë të pallatit 5 katësh tek Rruga e Mozaikëve në të cilën jetonte Bashkim Kopliku, para dhe pas ndërhyrjes. | Foto : Geri Emiri

I gjendur përballë kërkesave të vazhdueshme të Bashkim Koplikut që i druhej ndonjë tërmeti të fortë dhe mbylljes së syve nga zyrtarët lokale, specialistët e IKMT-së më datë 5 shkurt 2019, zbarkuan në zyrat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, IMT – institucion në varësinë e Bashkisë Durrës, duke konstatuar shkelje të ligjit nga inspektorët vendorë.

Bashkim Kopliku dhe 3 familje të tjera që jetojnë aktualisht në pallatin 5-katësh, theksonin në denoncimet e tyre se heqja e trarëve të themelit ulte rezistencën e ndërtesës përballë një tërmeti deri në 9 ballë, aq sa ishte projektuar godina.

Në 3 procesverbalet e shkeljeve administrative të mbajtura nga IKMT – një kopje e të cilave disponohet nga BIRN, evidentohet se 3 inspektorë të Bashkisë Durrës, Dorjan Mema, Klajdi Lame dhe Gëzim Hidri kanë shtrembëruar faktet dhe kanë fshehur rezultatet e kontrollit në pallatin e Koplikut.

“Nuk kanë pasqyruar drejt situatën ndërtimore në lidhje me procesverbalin numër 25, datë 26.02.2018, ndaj kundërvajtësit Gani Cano, i cili ka ndërhyrë me punime në anën konstruktive të objektit të banimit në katin e parë të pallatit,” shkruan IKMT, e cila i ka dënuar me gjobë të 3 inspektorët, me vlerë 400 mijë lekë për secilin.

Në analizimin e dokumenteve që BIRN disponon evidentohen akuza për fshehje faktesh edhe nga ekspertë privatë, duke e paraqitur pronën si apartament banimi, teksa prej së paku 10 vitesh ajo shërbente si dyqan.

Të pyetur nga BIRN, inspektorët e IMT-së së bashkisë Durrës i kundërshtuan gjetjet e IKMT-së. Inspektori Klajdi Lame i tha BIRN se shkeljet e IKMT-së ndaj tyre kanë qenë teknike dhe se gjoba ishte përmbysur në gjykatë.

“IKMT-ja ka gjetur detaje teknike, përse nuk ke thënë trari numër tre dhe katër, jo se nuk kemi vepruar,” tha Lame. “Ne e kemi gjobitur, kemi gjobitur firmën, jo një herë por 3-4 herë edhe personin,” shtoi ai, duke theksuar se “nuk dinim më çfarë t’i bënim personit në fjalë.”

Edhe inspektori Gëzim Hidri i tha BIRN se kishte fituar gjyq administrativ kundër vendimit të IKMT-së dhe nuk binte dakord me vlerësimin e saj.

“Kemi bërë procedurat dhe jemi në rregull sipas procedurës sonë,” tha ai. “Tani ata e kanë gjykuar ashtu, është mendimi i atyre si e kanë gjykuar ata,” shtoi Hidri, duke ju referuar IKMT-së.

Hidri theksoi se konstatimit e tyre përsa i përket shkeljeve të kryera nga pronari i dyqanit, Gani Cano, nuk ishin shumë të ndryshme nga konstatimet e IKMT-së.

“Ai është proceduar 3 herë nga ana jonë, ata [IKMT] na kanë proceduar ne përse nuk i kemi cilësuar trarët,” tha Hidri.

“Ne kemi thënë trarë të shtrirë të dëmtuar, ata thonë përse nuk e keni përcaktuar sa trarë të dëmtuar kanë qenë të shtrirë,” shtoi ai.

Inspektori tjetër i sanksionuar nga IKMT, Dorjan Mema i tha BIRN se nuk donte të komentonte mbi masën administrative.

Ndërkohë Gani Cano i mohoi akuzat se kishte ndërhyrë tek trarët e ndërtesës, duke dobësuar strukturën e saj.

“Unë jam ulur vetëm 30 centimetra, asnjë gjë tjetër, janë kolonat dhe trarët 140 centimetra poshtë në thellësi, kolonat nuk janë prekur sepse unë jam profesionist vetë, këtu nuk është prekur asnjë gjë me pak fjalë,” i tha ai BIRN.

“Unë e kam bërë që nga lopata e parë këtë pallat se kam punuar tek URT-ja, që nga karabinaja se më vonë ia vendosëm tullat, kështu që nuk ka asnjë lloj ndërhyrje fare,”pretendoi Cano.

Ndërhyrje vdekjeprurëse

Pallati 6 katësh tek rruga Shoqëria Bashkimi, në katin e parë të të cilit gjendej Bar Baron’s pas kolapsimit nga tërmeti. Foto : Geri Emiri

Në projektin e ndërtimit të pallatit ku banonte ish-zv.kryeministri Bashkim Kopliku, i hartuar përpara viteve ’90 nga Zyra e Urbanistikës dhe Projektimit, godinat e tipit “82/2” ishin me skelet dhe përballonin një tërmet deri në 9 ballë, aq sa ishte tërmeti i 26 nëntorit.

Edhe pallati ku banonte me qira Marjana Rexhepi në lagjen numër 6 –  cili u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit, përmbante të njëjtën strukturë ndërtimi. Pas shembjes së dy kateve të para të ndërtesës, gishti u drejtua ndaj ndërtuesit të lokalit Baron’s.

Sipas Prokurorisë së Durrësit, gjatë ndërtimit të lokalit në vitin 2014 – kur ishte kulmi i fushatës kundër ndërtimeve pa leje, në të cilin policia arrestoi edhe fshatarë që ndërtuan kotece për të mbajtur pulat, pronari i lokalit Baron’s hoqi muret e apartamentit, duke i zëvendësuar me vetrata xhami dhe kartonxhes.

Për ndërhyrjen në katin e parë të pallatit 6-katësh që u shemb pas tërmetit të nëntorit, Prokuroria e Durrësi dërgoi për gjykim 6 funksionarë shtetërorë, 2 punonjës të IMT-së Durrës dhe 4 zyrtarë të ish-ALUIZNI-t.

Pallati i shembur nga tërmeti në rrugën ‘Shoqëria Bashkimi’ dhe ai ku banonte Bashkim Kopliku, nuk janë ndërtesat e vetme në Durrës që kanë pësuar ndërhyrje strukturore për interesa komerciale.

“Nëse ndërhyrja është bërë nga një inxhinier konstruktor, ku janë përllogaritur nevojat e godinës pas përshtatjes, është një rast i rregullt,” tha Alier Cara, por theksoi se “zakonisht këto ndërhyrje janë bërë nga vetë individët.”

“Në përgjithësi është ndërhyrë në godina ku nuk lejohej, sepse kanë qenë me mure mbajtëse. Ndërtesat e ndërtuara deri në vitet’ 60-70, kryesisht kanë sistem konstruktiv me muraturë mbajtëse dhe ndërtimi i një muri është i barasvlefshëm me dëmtimin e një kolone,” përfundoi ai.

Burimi: Reporter.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here