Ndërpritet rivlerësimi për gjyqtarin e çështjes “El Clásico”

Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri & Petrit Çeno

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e rivlerësimit për gjyqtarin e gjykatës së Apelit të Durrësit, Petraq Dhimitri, pasi ky i fundit dha dorëheqjen nga pozicioni i gjyqtarit në një kërkesë të Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Dhimitri është aktualisht në pritje të Apelit pasi u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për veprën penale të korrupsionit aktiv të gjyqtarit, bashkë me dy të tjerë. Dhimitri është deklaruar në gjykatë i pafajshëm.

Ndërprerja e vetingut për shkak të dorëheqjes sjell edhe humbjen e të drejtës së Dhimitrit për t’u emëruar si gjyqtar ose prokuror për një periudhë 15-vjeçare.

Në vendimin e arsyetuar të KPK shpjegohet se ndërprerja e procesit të rivlerësimit ka ardhur pas depozitimit më datë 24 Janar, të një vendimi të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ për mbarimin e statusit të magjistratit për Dhimitrin, për shkak të dorëheqjes së tij.

Komisioni argumenton se magjistrati mund të kërkojë mbarimin e statusit, nëpërmjet paraqitjes së dorëheqjes para Këshillit përkatës dhe se nuk është e nevojshme të jetë e arsyetuar.

Në vendim thuhet se Komisioni e ftoi Dhimitrin për t’u shprehur nëse dëshironte të ushtronte të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore. Gjyqtari Petraq Dhimitri ka preferuar të mos e ushtrojë këtë të drejtë.

“Ju konfirmoj vullnetin tim për të mos ushtruar të drejtën për t’u dëgjuar nga Komisioni në seancë dëgjimore”, ka deklaruar Dhimitri për Komisionin më datë 1 Korrik nëpërmjet një email-i.

“Trupi gjykues çmon se procesi i rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, z. Petraq Dhimitri, duhet të ndërpritet”, konkludon trupi gjykues i KPK.

Petraq Dhimitri është në gjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprën penale të korrupsionit.

Tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u shpallën fajtorë më 29 Tetor 2019 dhe u dënuan nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda me nga 2 vjet burg secili për veprën penale të korrupsionit, ndërkohë që biznesmeni Namik Sadik, i akuzuar se u ka paguar atyre udhëtimin në Madrid, u dënua me një vit burg.

Tre gjyqtarët akuzohen se kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në Tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadik, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe se udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Clásico”.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi t’u heqë tre gjyqtarëve të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Të pandehurit përfituan ulje me 1/3 e dënimit për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar./sosnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here