Policia e Çudirave – Analizë

Prej më shumë se katër ditësh drejtuesit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme janë zhvendosur në Kukës për të kuptuar dhe zbuluar prova rreth asaj që ndodhi në tetor të një viti më parë, kur i shumë kërkuari Naser Gashi edhe pse u arrestua , u la i lirë brenda pak orësh.

Ajo e cila mund të konsiderohet si një prej skandaleve më të rënda, të ndodhura në vitet e fundit në organizatën e policisë është tentuar të sfumohet në veprime thellësisht burokratike, duke shmangur deri tani përgjegjësinë penale dhe institucionale të drejtorisë së policisë vendore kukës.

Rasti Naser Gashit tregoi se policia shqiptare, nga organizatë serioze dhe në zbatim të ligjit është kthyer në organizatën e çudirave ku vetëm për barazi përpara ligjit nuk mund të flitet.

Rasti Naser Gashit shpalosi dhe njëherë se tarafi dhe lidhjet okulte në polici janë ato që prevalojnë mbi gjithçka. Naser Gashi një shumë i kërkuar i dënuar nga gjykata për trafikim të lëndëve narkotike arriti ti shpëtone burgut edhe pse u arrestua nga policia kufitare me dokumenta të falsifikuara, sepse me “bindjen e duhur” me “lidhjet e duhura” arriti të shmangte vuajtjen e dënimit edhe pse i dënuar me burgim të formës së prerë.

Sa raste janë raportuar në media të arrestimit të efektivëve të policisë thjeshtë që janë arrestuar pse një i paraburgosur apo një i prangosur është arratisur, sigurisht pa vullnetin e policëve. Në sa raste janë “shkrirë” komisariate të caktuara nga mos veprimi, që ka sjellë më pas arratisjen e të arrestuarve.

Por në rastin kur me veprime koshiente, një shumë i kërkuar si Naser Gashi lihet i lirë në shkelje flagrante të ligjit , kodit të procedurës penale, ligjit të policisë së shtetit, rregullores së disiplinës, procedurës standarte të të arrestuarit të shpallur në kërkim, asnjë penalizim nuk ndodh dhe asnjë masë ndëshkuese nuk merret.

Kush janë shkeljet:

  1. Neni 247 i kodit të procedurës penale përcakton qartësisht se i ikur konsiderohet personi që megjithëse ka dijeni, i shmanget me vullnet zbatimit të masave të sigurimit. Gjendja e ikjes ruhet derisa masa e sigurimit ekzekutohet, revokohet, humbet fuqinë, ose kur shuhet vepra penale apo dënimi për të cilin është vendosur masa. Në rastin e kapjes së Naser Gashit , gjendja e ikjes për dënimin penal të Gjykatës së Krimeve të Rënda për trafikim të lëndëve narkotike as nuk ishte revokuar, as nuk kishte humbur fuqinë, as nuk ishte shuar vepra penale, por ishte në tentativë për tu ekzekutuar. Drejtuesit e Policisë Vendore Kukës vepruan me mendjen e tyre, ne shkelje të këtij neni.
  2. Neni 472 i Kodit të procedurës penale “Dyshimi për identitetin fizik të personit të burgosur”, përcakton se në rast se identiteti i personit mbetet i paqartë, është gjykata dhe jo policia ajo që që urdhëron pezullimin e ekzekutimit, lirimin e të burgosurit dhe njofton prokurorin që të bëjë hetime të mëtejshme. Por në rastin konkret të Naser Gashit, identiteti i tij i vërtetë u qartësua nga specialisti i policisë shkencore edhe pse Gashi udhëtonte me dokumentat e Sali Bula. Nuk parashikohet në asnjë rrjesht që policia të marrë atributet e gjykatës.
  3. Neni 186 i kodit penal “Falsifikimi ose përdorimi i dokumentave të falsifikuara dënohet me burgim gjer në tre vjet”. Kjo ishte vepra penale me të cilën u referuan me ngut drejt prokurorisë së kukësit , materialet në ngarkim të Naser Gashit. “Në këtë rast, siç u provua nga policia shkencore , dokumenti me identitetin Sali Bula që përdorte Naser Gashi nuk ishte i falsifikuar, por një dokument i rregullt i lëshuar nga autoritetet kosovare , dokument të cilin e përdorte Naser Gashi, dhe në këtë rast prokuroria Rita Gjati ka vepruar bazuar tek neni 257 i kodit të procedurës penale “Rastet e lirimit të menjëhershëm të të arrestuarit ose të ndaluarit”, Pasi në këtë rast ka dalë qartë se për veprën penale të falsifikimit të dokumentave , nuk ekzistojnë kushtet ligjore të arrestit.Por prokuroria nuk është shprehur për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që e dënon me 7 vite e 4 muaj burg.
  4. Neni 16 i Ligjit “Për ekzekutimin e vendimeve penale” parashikon detyrat e policisë së shtetit si një nga organet që ekzekuton vendimin penal të formës së prerë.Policia e Shtetit në kushtet e mungesës së ekzekutimit vullnetar , vepron forcërisht duke kapur dhe vënë të dënuarin në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Policia e Kukësit qetësisht ka liruar Naser Gashin për tu larguar në shkelje të hapur të detyrave të saj funksionale të ngarkuara nga ligji “Për ekzekutimin e vendimeve penale”.
  5. Urdhëri, Nr.1417, datë 11.12.2009 i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit “Për Miratimin e Procedurave Standarde të Departamentit të Sigurisë Publike ” parashikon të gjitha veprimet e detajauara që duhet të bëhen kur i pandehuri me urdhër kërkimi. Strukturat e policisë vendore me marrjen nga gjykata/prokuroria të urdhrit për kërkimin në shkallë vendi të personit që nuk gjëndet, menjëherë dergojnë kopje të këtij urdhri në Departamentin e Sigurisë Publike, i cili shpall kërkimin në të gjithë territorin e vendit. Për këtë qëllim bashkërendojnë punën me strukturat e Policisë Kufitare & Migracionit, njësitë e qeverisjes vendore, zyrat e gjendjeve civile, si dhe shfrytëzohen të dhënat e sistemit “TIMS”.Për rezultatet e kërkimit, në rastin kur gjendet personi i kërkuar oficerët/agjentët e policisë gjyqësore në drejtorinë e policisë së qarkut dhe në komisariatin e policisë, plotësojnë formularin “Lidhja Nr. 4” bashkëlidhur kësaj procedure, si dhe me shkresë përcjellëse i dërgohen Departamentit të Sigurisë Publike brenda afateve të përcaktuara.Në përfundim, Departamenti i Sigurisë Publike bazuar në informacionet e dërguara nga drejtoritë e policisë së qarqeve i kthen përgjigje organit të gjykatës/prokurorisë për kërkimet e kryera dhe rezultatet e arritura. Siç rezulton e provuara as procedurën standarte të punës Drejtoria dhe komisariati vendor Kukës nuk e ka kryer në rastin Naser Gashi.

Fakte:

21 Qershor 2013 -Naser Gashi dënohet në mungesë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, me 7 vjet e 4 muaj burg për trafik të lëndëve narkotike.

17 Tetor 2018 ora 20 e 30 – Policia Kufitare e Morinës e arreston teksa tentonte të kalonte kufirin me pasaportën e shtetasit Samir Bula. 58 vjeçari transferohet për veprime të mëtejshme në drejtorinë e policisë kukës.Veprimet për veprën penale të falsifikimit të dokumentave i ndjek komisariati i policisë ,duke shkelur urdhërin edrejtorit të përgjithshëm të policisë, pasi për këtë vepër penale , veprimet proceduriale ndiqen nga sektori kundër krimit ekonimik nën varësi të zv/drejtorit për krimet e rënda të policisë vendore. Policia Kufitare e Morinit njofton me telefon drejtorinë e policisë Tiranë për kapjen e Naser Gashit.

18 Tetor 2018 – Prokuroria e Kukësit Rita Gjati ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Naser Adem Gashit për veprën penale të falsifikimit të dokumentave, ndërsa nuk u shpreh për urdhër kërkimin e gjykatës së krimeve të rënda për trafik droge.

18 Tetor 2018 – Me një shkresë të marrë dorazi nga oficeri i policisë gjyqësore , komisariati vendor i policisë, liron Naser Gashin me justifikimin e urdhërit të Prokurores

18 Tetor 2018 – Patrulla Shqiponja e Drejtorisë së Policisë Tiranë e cila kishte mbërritur në Kukës pas njoftimit që kishte marrë nga Policia kufitare, u kthye “duar bosh” pais mori përgjigjen se Naser Gashi kishte pak orë që ishte liruar.

19 Tetor 2018 – Asnjë komunikatë operative dhe asnjë njoftim institucional i brendshëm i drejtorisë së policisë kukës për drejtorinë qëndrore apo ministrinë e brendshme për arrestimin dhe lirimin e përshpejtuar të Naser Gashit.

22 Tetor 2018 – Gazetari Basir Çollaku në Shijak tv publikon skandalin lirimit të shumë të kërkuari Naser Gashi. Megjithë përpjekjet dhe denoncimin publik të gazetarit çështja kaloi në heshtje si nga policia ashtu dhe nga prokuroria.

23 Tetor 2019 – zv/drejtori i policisë Kukës , Shkëlqim Pepkolaj vë në dijeni rreth skandalit Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe Ministrin e Brendshëm.

24 Tetor 2018 – Zv/drejtori i krimeve të rënda të Policisë Kukës Shkëlqim Pepkolaj pezullohet nga detyra me urdhër të drejtorit, pasi kishte kërkuar llogari për lirimin e paligjshëm të Naser Gashit, si dhe kishte kërkuar ndjekje disiplinore për shefin e komisariatit Agim Basha dhe shefin e sallës operative Alfred Mazreku.

27 Janar 2019Shqiptarja.com dhe dy gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha publikojnë faktet dhe dokumentat rreth skandalit të ndodhur me lirimin e shumë të kërkuarit të denuar me vendim gjykate për trafik droge duke akuzuar për mos veprim mes të tjerash Zef Laskën (drejtor policie Kukës), Hilë Lushakun (këshilltar i ministrit), Aida Hajnaj (zvdrejtoreshë e përgjithshme e policisë së shtetit), Agim Bashën (shef komisariati) etj.

28 janar 2019 – Reagojnë në FB shefi i komisariati Agim Basha ” Kulmi i Dështimit/ përdorimit për një gazetar është kur bëhet shërbëtori i një polici të “ndërshëm” që ka qëllim të përfitoj azil. Polici i “ndershëm” sipas disa gazetarëve, quhet ai që grabit , që pengon gjetjen e fëmijëve të rrëmbyer( si Bleona Mata), që ekzekuton njerëz, etj etj.. kulmi i pështirimit dhe kompromisit të këllirave që çapiten në llum.

28 Janar 2019 – Hilë Lushaku këshillat i ministrit po ashtu reagon në FB me anë të një statusi, duke u marrë me aspektin e nxjerrjes së sekretit hetimor dhe jo me lirimin e të shumë kërkuarit ” Media ka mision të shejntë në informimin e publikut. A është pjesë e misionit të saj lajmërimi publik për procedura sekrete hetimore? Kush është burimi i informimit të tyre me të dhëna apo informacione që cënojnë sigurinë publike dhe sigurinë kombëtare? A vlerëson media dëmin që i sjell hetimit dhe pasojat jetike për personat që kryejnë procedurat. Kjo nuk ndodh askund!!! Ku fle lepuri?!

29 Janar 2019 – Prokuroria e Përgjithshme reagon duke fajësuar policinë vendore për lirimin e Naser Gashit si i shpallur në kërkim për drogën, ndërsa shfajëson prokuroren Rita Gjati se ajo ka urdhëruar lirimin vetëm për veprën penale të falsifikimit të dokumentave.

30 Janar 2019 – Zyrtarisht Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimet për veprimet dhe mosveprimet e policisë për lirimin e shumë të kërkuarit nga Kosova.

Deri tani asnjë masë ndëshkuese, asnjë penalizim për rastin e ndodhur.Kujtojmë faktin se në fillim të janarit dy policë të rendit të komisariati kukës u arrestuan me urdhër të prokurorisë pasi një 53 vjeçar serb i cili ishte lënë në arrest shtëpie në një hotel në qytetin verior, kishte arritur të arratisej.

SHKB, Drejtoria e Policisë, Prokuroria e Përgjithshme treguan se janë me dy standarte, këto institucione treguan se kur do mund të të arrestojnë , por ama kur je pjesë e lidhjeve me influencë vendimarrëse , shteti bëhet memec, qorr dhe thuajse shurdh për të reaguar, ndëshkuar dhe mbi të gjitha për të vënë në vend dinjitetin e Policisë së Shtetit./sosnews.al

Shkrimi i stafit të sosnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here