Skandal, pushohen hetimet për policët që liruan trafikantit në kërkim

Hetimet për skandalin e lirimit të Naser Gashit,  janë pushuar zyrtarisht nga Prokuroria e Lezhës duke shënuar një tjetër skandal. Ky institucion ka vendosur që policët të cilët liruan në shpërdorim të detyrës trafikantit e dënuar me vendim të gjykatës së krimeve të rënda Naser Gashi nuk kanë kryer vepër penale.

Me një vendim tërësisht të fshehtë dhe në mungesë të plotë të transparencës Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka pushuar hetimet për 4 punonjësit e policisë së Kukësit mes tyre dy drejtues për shkak se nuk arrihet të provohet vepra penale megjithëse edhe pse ishin vënë në dijeni të faktit, kishin bërë të mundur lirimin e shumë të kërkuarit i arrestuar në pikën kufitare të Morinit me 17 Tetor 2018.

Ndërsa i vetmi i penalizuar deri në këto momente është ish-zvdrejtori i policisë kriminale të Drejtorisë së Kukësit Shkëlqim Pepkolaj i cili u pezullua nga policia përsë kishte vënë në dijeni eprorët për skandalin  e lirimit të të dënuarit me 7 vite e 4 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike.Ky i fundit nga frika e hakmarrjes  nga grupet kriminale dhe duke mos gjetur mbështetje nga shteti është zhvendosur sëbashku me familjen në një vend të bashkimit evropian.

“Pra këtu kemi të bëjmë me shkelje të rënda të prokurores përkatëse dhe shkelje të rënda të disa oficerëvë të policisë  të cilët kanë patur detyrë që megjithëse e kishin marrë një urdhër lirimi absurd dhe të paligjshëm  të mos e zbatonin sepse urdhërat e paligjshëm nuk duhet të zbatohen dhe e gjitha kjo është konsumuar në muajn Tetor” – do deklaronte në muajn shkurt ministri i brendshëm Sandër Lleshaj.

Anët e errëta të tranferimit të hetimeve në Prokurorinë e Lezhës

Vendimi i pushimit mësohet se është marrë në fillim të muajt Maj nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësorë Lezhë. Por çfarë ndodhi me  çështjen dhe përse hetimet u deleguan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda drejt asaj të Lezhës?

Pavarësisht se lirimi i paligjshëm i Naser Gashit kishte ndodhur që në muajn Tetor të vitit 2018, hetimet për përgjegjësinë institucionale nisën vetëm 4 muaj më vonë , pas publikimit të fakteve të reja  dhe insistimit të medias pë denoncimin e rastit. Me një veprim të sforcuar me 15 shkurt Prokuroria e Krimeve të Rënda  i kërkoi gjykatës që të vendoste masë sigurie për 4 punonjës të policisë kukës, mes tyre dhe shefin e komisariatit dhe drejtorit të policisë kufitare. (shih artikulin në sosnews.al).

Sapo vëmendja mediatike ra, prokuroria e krimeve të rënda shpalli moskompetëcën lëndorë për hetimin e policëvë, ndërsa çështja u tentua të kalonte ping-pong mes prokurorisë së Dibrës, Shkodrës dhe Lezhës. Ishin vetëm këta të fundit të cilët pranuan të merrnin dosjen për hetim dhe vetëm pas 1 muaj hetimesh, arritën në konkluzionin se për lirimin e Naser Gashit nuk ka përgjegjësi askush.

Roli i biznesmenit të naftës në lirimin e Gashit dhe pafajësisnë e policëve

Por të dhënat e çështjes dhe informacionet operative tregojnë se i implikuar nëpërmjet ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të prokurorisë dhe policë Kukës, për lirimin e Naser Gashit është një biznesmen i fuqishëm në kryeqytet, i cili mësohet se ka lëvizur të gjitha fijet, për të bërë të mundur që shtetasi kosovar të lirohej edhe pse ndaj tij ka në fuqi një vendim të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që e dënon me 7 vite e 4 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike. Biznesmeni mësohet se ka ushtruar ndikimin e tij edhe në Prokurorinë e Lezhës për të nxjerrë të pafajshëm policët e Kukësit që morën përsipër të ekzekutonin urdhërin e paligjshëm të lirimit. E pa dëmtuar nga kjo histori ka dalë edhe prokuroria e Kukësit Rita Gjati që urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Naser Adem Gashit për veprën penale të falsifikimit të dokumentave, ndërsa nuk u shpreh për urdhër kërkimin e gjykatës së krimeve të rënda për trafik droge.

Kronologjia e ngjarjeve që shoqëruan skandalin

21 Qershor 2013 -Naser Gashi dënohet në mungesë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, me 7 vjet e 4 muaj burg për trafik të lëndëve narkotike.

17 Tetor 2018 ora 20 e 30 – Policia Kufitare e Morinës e arreston Gashin teksa tentonte të kalonte kufirin me pasaportën e shtetasit Samir Bula. 58 vjeçari transferohet për veprime të mëtejshme në drejtorinë e policisë kukës.Veprimet për veprën penale të falsifikimit të dokumentave i ndjek komisariati i policisë ,duke shkelur urdhërin edrejtorit të përgjithshëm të policisë, pasi për këtë vepër penale , veprimet proceduriale ndiqen nga sektori kundër krimit ekonimik nën varësi të zv/drejtorit për krimet e rënda të policisë vendore. Policia Kufitare e Morinit njofton me telefon drejtorinë e policisë Tiranë për kapjen e Naser Gashit.

18 Tetor 2018 – Prokuroria e Kukësit Rita Gjati ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Naser Adem Gashit për veprën penale të falsifikimit të dokumentave, ndërsa nuk u shpreh për urdhër kërkimin e gjykatës së krimeve të rënda për trafik droge.

18 Tetor 2018 – Me një shkresë të marrë dorazi nga oficeri i policisë gjyqësore , komisariati vendor i policisë, liron Naser Gashin me justifikimin e urdhërit të Prokurores

18 Tetor 2018 – Patrulla Shqiponja e Drejtorisë së Policisë Tiranë e cila kishte mbërritur në Kukës pas njoftimit që kishte marrë nga Policia kufitare, u kthye “duar bosh” pais mori përgjigjen se Naser Gashi kishte pak orë që ishte liruar.

19 Tetor 2018 – Asnjë komunikatë operative dhe asnjë njoftim institucional i brendshëm i drejtorisë së policisë kukës për drejtorinë qëndrore apo ministrinë e brendshme për arrestimin dhe lirimin e përshpejtuar të Naser Gashit.

22 Tetor 2018 – Gazetari Basir Çollaku në Shijak tv publikon skandalin lirimit të shumë të kërkuari Naser Gashi. Megjithë përpjekjet dhe denoncimin publik të gazetarit çështja kaloi në heshtje si nga policia ashtu dhe nga prokuroria.

23 Tetor 2019 – zv/drejtori i policisë Kukës , Shkëlqim Pepkolaj vë në dijeni rreth skandalit Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe Ministrin e Brendshëm.

24 Tetor 2018 – Zv/drejtori i krimeve të rënda të Policisë Kukës Shkëlqim Pepkolaj pezullohet nga detyra me urdhër të drejtorit, pasi kishte kërkuar llogari për lirimin e paligjshëm të Naser Gashit, si dhe kishte kërkuar ndjekje disiplinore për shefin e komisariatit Agim Basha dhe shefin e sallës operative Alfred Mazreku.

 

27 Janar 2019 – Shqiptarja.com dhe dy gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha publikojnë faktet dhe dokumentat rreth skandalit të ndodhur me lirimin e shumë të kërkuarit të denuar me vendim gjykate për trafik droge duke akuzuar për mos veprim mes të tjerash Zef Laskën (drejtor policie Kukës), Hilë Lushakun (këshilltar i ministrit), Aida Hajnaj (zvdrejtoreshë e përgjithshme e policisë së shtetit), Agim Bashën (shef komisariati) etj.

28 janar 2019 – Reagojnë në FB shefi i komisariati Agim Basha ” Kulmi i Dështimit/ përdorimit për një gazetar është kur bëhet shërbëtori i një polici të “ndërshëm” që ka qëllim të përfitoj azil. Polici i “ndershëm” sipas disa gazetarëve, quhet ai që grabit , që pengon gjetjen e fëmijëve të rrëmbyer( si Bleona Mata), që ekzekuton njerëz, etj etj.. kulmi i pështirimit dhe kompromisit të këllirave që çapiten në llum.

28 Janar 2019 – Hilë Lushaku këshilltar i ministrit po ashtu reagon në FB me anë të një statusi, duke u marrë me aspektin e nxjerrjes së sekretit hetimor dhe jo me lirimin e të shumë kërkuarit ” Media ka mision të shejntë në informimin e publikut. A është pjesë e misionit të saj lajmërimi publik për procedura sekrete hetimore? Kush është burimi i informimit të tyre me të dhëna apo informacione që cënojnë sigurinë publike dhe sigurinë kombëtare? A vlerëson media dëmin që i sjell hetimit dhe pasojat jetike për personat që kryejnë procedurat. Kjo nuk ndodh askund!!! Ku fle lepuri?!

29 Janar 2019 – Prokuroria e Përgjithshme reagon duke fajësuar policinë vendore për lirimin e Naser Gashit si i shpallur në kërkim për drogën, ndërsa shfajëson prokuroren Rita Gjati se ajo ka urdhëruar lirimin vetëm për veprën penale të falsifikimit të dokumentave.

30 Janar 2019 – Zyrtarisht Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimet për veprimet dhe mosveprimet e policisë për lirimin e shumë të kërkuarit nga Kosova.

15 Shkurt 2019 -Sandër Lleshaj ministër i brendshëm, i ftuar në TV A2neës u shpreh se Unë di këtë rast, në muajin Tetor të vitit të kaluar është bërë një lirim i padrejtë i një qytetari që është arrestuar nga policia në kufi me dokumenta të falsifikuara. I është verifikuar se dokumenti ishte i falsifikuar, i është verifikuar identiteti i tij real. Ka rezultuar se ishte i dënuar, ka shkuar në prokurori dhe prokuroria ka lëshuar një urdhër lirimi për të , të cilin policia në mënyrë të gabuar e ka zbatuar. Pra këtu kemi të bëjmë me shkelje të rënda të prokurores përkatëse dhe shkelje të rënda të disa oficerëvë të policisë  të cilët kanë patur detyrë që megjithëse e kishin marrë një urdhër lirimi absurd dhe të paligjshëm  të mos e zbatonin sepse urdhërat e paligjshëm nuk duhet të zbatohen dhe e gjitha kjo është konsumuar në muajn Tetor.Zoti Pepkolaj që iu përmendët në atë kohë ka qeë zv drejtori i hetimit të krimeve në drejtorinë e qarkut Kukës që ka patur një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ngjarjen dhe zotëria në fjalë është kujtuar për ngjarjen shumë vonë. Kur gjithçka kishte ndodhur. Tani procesi është në hetim. unë di që  do të hetohen me seriozitetin më të madh, kam dhënë detyra të qarta që kjo çështje të hetohet me skrupolozitetin maksimal  për të identifikuar të gjithë ata që kanë gisht në këtë histori që nuk i bën nder as prokurorisë as policisë

16 Shkurt 2019 -SHÇBA ekzekuton 4 urdhra të Gjykatës, për punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe DRKM Kukës, pasi me veprimet e mosveprimet e tyre lejuan lirimin e shtetasit Naser Gashi të dënuar me 7.4 vite burg. Gjykata ka caktuar masat e sigurisë “Arrest me burg” për 2 punonjës policie (Agim Basha shef komisariati,braktisi detyrën dhe u shpall në kërkim, Kujtim Spahia, me detyrë specialist, u arrestua), ndërsa për 2 të tjerë masën “Detyrim paraqitjeje (Ferdinand Gjeta, drejtor kufiri, Shkëlzen Ibaj, me detyrë specialist në Sallën e Komandimit)”.(shih artikulin në sosnews.al)

20 Mars 2019 – Prokuroria e Krimeve të Rënda shpall moskompetencë, çështja, pas disa ditësh sorollatje në disa prokurori rrethi , pranohet më fund të hetohet nga Prokuroria e Lezhës.

2 Maj 2019 – Prokuroria e Lezhës në mungesë të plotë të transparencës vendos të pushoi çështjen penale ndaj punonjësve të policisë së drejtorisë së Kukësit ndërsa sugjeron se ndaj specialistit në komunitet të merret masë administrative.

6 Maj 2019– ish shefi i komisariatit kukës Agim Basha rikthehet nga arratia dhe del lirshëm në kryeqytet duke nisur procedurën administrative për tu rikthyer në detyrë sëbashku me të tjerët.

15 Maj 2019 Çështja konsiderohet përfundimisht e mbyllur dhe e arkivuar pasi askush nuk ngritit në gjykatë pretendime për mbylljen e çështjes. Prokuroria heshti, policia heshti, gjykata miratoi.

Kush janë shkeljet e dyshuara:

  1. Neni 247 i kodit të procedurës penale përcakton qartësisht se i ikur konsiderohet personi që megjithëse ka dijeni, i shmanget me vullnet zbatimit të masave të sigurimit. Gjendja e ikjes ruhet derisa masa e sigurimit ekzekutohet, revokohet, humbet fuqinë, ose kur shuhet vepra penale apo dënimi për të cilin është vendosur masa. Në rastin e kapjes së Naser Gashit , gjendja e ikjes për dënimin penal të Gjykatës së Krimeve të Rënda për trafikim të lëndëve narkotike as nuk ishte revokuar, as nuk kishte humbur fuqinë, as nuk ishte shuar vepra penale, por ishte në tentativë për tu ekzekutuar.Drejtuesit e Policisë Vendore Kukës vepruan me mendjen e tyre, ne shkelje të këtij neni.
  2. Neni 472 i kodit të procedurës penale “Dyshimi për identitetin fizik të personit të burgosur”, përcakton se në rast se identiteti i personit mbetet i paqartë, është gjykata dhe jo policia ajo që që urdhëron pezullimin e ekzekutimit, lirimin e të burgosurit dhe njofton prokurorin që të bëjë hetime të mëtejshme. Por në rastin konkret të Naser Gashit, identiteti i tij i vërtetë u qartësua nga specialisti i policisë shkencore edhe pse Gashi udhëtonte me dokumentat e Sali Bula. Nuk parashikohet në asnjë rrjesht që policia të marrë atributet e gjykatës.
  3. Neni 186 i kodit penal “Falsifikimi ose përdorimi i dokumentave të falsifikuara dënohet me burgim gjer në tre vjet”. Kjo ishte vepra penale me të cilën u referuan me ngut drejt prokurorisë së kukësit , materialet në ngarkim të Naser Gashit. “Në këtë rast, siç u provua nga policia shkencore , dokumenti me identitetin Sali Bula që përdorte Naser Gashi nuk ishte i falsifikuar, por një dokument i rregullt i lëshuar nga autoritetet kosovare , dokument të cilin e përdorte Naser Gashi, dhe në këtë rast prokuroria Rita Gjati ka vepruar bazuar tek neni 257 i kodit të procedurës penale “Rastet e lirimit të menjëhershëm të të arrestuarit ose të ndaluarit”, Pasi në këtë rast ka dalë qartë se për veprën penale të falsifikimit të dokumentave , nuk ekzistojnë kushtet ligjore të arrestit.Por prokuroria nuk është shprehur për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që e dënon me 7 vite e 4 muaj burg.
  4. Neni 16 i Ligjit “Për ekzekutimin e vendimeve penale” parashikon detyrat e policisë së shtetit si një nga organet që ekzekuton vendimin penal të formës së prerë.Policia e Shtetit në kushtet e mungesës së ekzekutimit vullnetar , vepron forcërisht duke kapur dhe vënë të dënuarin në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Policia e Kukësit qetësisht ka liruar Naser Gashin për tu larguar në shkelje të hapur të detyrave të saj funksionale të ngarkuara nga ligji “Për ekzekutimin e vendimeve penale”.
  5. Urdhëri, Nr.1417datë 11.12.2009 i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit “Për Miratimin e Procedurave Standarde të Departamentit të Sigurisë Publike ” parashikon të gjitha veprimet e detajauara që duhet të bëhen kur i pandehuri me urdhër kërkimi. Strukturat e policisë vendore me marrjen nga gjykata/prokuroria të urdhrit për kërkimin në shkallë vendi të personit që nuk gjëndet, menjëherë dergojnë kopje të këtij urdhri në Departamentin e Sigurisë Publike, i cili shpall kërkimin në të gjithë territorin e vendit. Për këtë qëllim bashkërendojnë punën me strukturat e Policisë Kufitare & Migracionit, njësitë e qeverisjes vendore, zyrat e gjendjeve civile, si dhe shfrytëzohen të dhënat e sistemit “TIMS”.Për rezultatet e kërkimit, në rastin kur gjendet personi i kërkuar oficerët/agjentët e policisë gjyqësore në drejtorinë e policisë së qarkut dhe në komisariatin e policisë, plotësojnë formularin “Lidhja Nr. 4” bashkëlidhur kësaj procedure, si dhe me shkresë përcjellëse i dërgohen Departamentit të Sigurisë Publike brenda afateve të përcaktuara.Në përfundim, Departamenti i Sigurisë Publike bazuar në informacionet e dërguara nga drejtoritë e policisë së qarqeve i kthen përgjigje organit të gjykatës/prokurorisë për kërkimet e kryera dhe rezultatet e arritura. Siç rezulton e provuara as procedurën standarte të punës Drejtoria dhe komisariati vendor Kukës nuk e ka kryer në rastin Naser Gashi.

Kjo çështje tregon se si influenca e disa biznesmenëvë, paratë dhe lidhjet mund të kthejnë në një veprim të parregullt dhe abuziv ligjor  në një veprim “ligjor”.Këtu edhe e paimagjinueshmja ndodh si diçka e natyrshme:  Një të sapo kapuri në kërkim, që është i dënuar me vendim gjykate,  i cili në vend që të dërgohej në burg, iu la hapur dera e jashtme e komisariatit për të vijuar i qetë sërish jetën dhe të gjithë të përfshirët në këtë padrejtësi jetojnë në paqe.

Material i përgatitur nga redaksia e lajmeve “SOSNEWS.AL”

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here