Arrestohen autorët e 4 viktimave, vëllezërve Haxhia dhe dy të rinjve me 2 mars

Durrës– Zbardhen dy ngjarje të rënda kriminale, të ndodhura dy muajt e fundit në Durrës.

Vihen në pranga dy autorët e dyshuar të këtyre ngjarjeve, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shën Vlash”, i zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Sekuestrohen 3 armë zjarri, municion luftarak, automjeti i përdorur për kryerjen e krimit dhe 12 aparate celular.

Siç jeni në djeni, më datë 27.04.2020, në segmentin rrugor Shën Vlash-Nishtulla, ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Si rezultat i punës profesionale të bërë nga grupi i posaçëm hetimor, u bë i mundur grubmbullimi i provave që çuan në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.

Për këtë, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës, mbi bazën e provave të grumbulluara nga puna hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar “Shën Vlash ”, në kuadër të të cilit u bë zbulimi, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve:

Autorë:

Altin Ndoci, 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”;

Klevis  Alla, 22 vjeç, banues në Durrës;

Viktima: 

  1. Besmir Haxhia 35 vjeç – 27 prill 2020
  2. Viktor Haxhia 27 vjeç – 27 prill 2020
  3. Dorian Shkoza , 35 vjeç – 2 mars 2020
  4. Anxhelo Avdia, 24 vjeç – 2 mars 2020

Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas.

Makina me te cilin udhetonin vellezerit Haxhia - 27prill 2020

Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit Dorian Shkoza , 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia, 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar.

Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për aryse hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera.

Zbardhja e këtyre ngjarjeve erdhi si rezultat i një bashkëpunimi, koordinimi dhe profesionalizmi mes disa strukturave, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Falënderoj Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe në mënyrë të veçantë prokurorin Gëzim Veizi, për bashkëpunimin, mbështetjen dhe profesionalizmin e treguar dhe dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, si dhe ftoj qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë./Policia e Shtetit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here